Arrestohet në Francë i shumëkërkuari i SPAK, Ermal Beqiraj!

Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e “AKSHI”-t është arrestuar sot në Francë.

Ndaj tij është lëshuar masa arrest me burg prej Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pritet që të ekstradohet në Shqipëri.

Beqiraj zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se përfitoi tenderë mbi 1.1 milion euro pas kërcënimeve që krahu i djathtë i Ergys Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta.

Hetimet e SPAK të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ermal Beqiraj.

Bëhet fjalë për një jaht të markës Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon gati 1 mln euro.

Sipas SPAK, biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni Beqiraj.

Në dosjen e SPAK, Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.

Gjithashtu atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij e subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete.