Arrestohet ish-efektivi i RENEA-s Altin Morina

Tiranë, 4 prill 2025 – Altin Morina, ish-efektiv i repartit special RENEA, është arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme në Tiranë, në kuadër të operacionit “Revanshi”. Ai ishte shpallur në kërkim që prej 17 majit 2024 për përfshirje në organizimin e kultivimit të kanabisit në zonat e Niklës dhe Tapizës gjatë viteve 2019–2020.

Burime nga policia bëjnë me dije se arrestimi u krye nga shërbimet e Komisariatit nr.2, ku Morina u kap në shoqërinë e një personi tjetër. Sipas dosjes së hetimit të hartuar nga SPAK, ai ka bashkëpunuar me të shumëkërkuarin Durim Bami për aktivitetin kriminal.

Altin Morina nuk është hera e parë që përballet me drejtësinë. Më 14 mars 2023, ai u arrestua në zonën e Kodrës së Diellit me 113 mijë euro të padeklaruara në automjetin e tij luksoz. Paratë ishin fshehur poshtë sediljes së parë dhe ishin mbështjellë me qese plastike. Vetëm një muaj më vonë, ai u lirua me pretendimin se paratë ishin marrë hua nga një biznesmen për një çështje personale.

Morina ka pasur një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit. Ai ka punuar në SHÇBA në vitin 2012, më pas si oficer në Komisariatin nr.3 në Tiranë, drejtues i Komisariatit të Ballshit, dhe së fundmi si shef stërvitjeje në RENEA. Dyshohet gjithashtu se ai mund të ketë qenë i përfshirë në veprimtari të tjera të jashtëligjshme, përfshirë dhënien e parave me fajde.