Arrestohet autori i dyshuar i djegies së automjetit në Elbasan. Policia: Ishte në masë sigurie “arrest në shtëpi”

21 Nëntor 2025, Elbasan

Komisariati i Policisë Elbasan finalizoi operacionin policor të koduar “Night 2”, duke zbardhur ngjarjen e djegies së qëllimshme të një automjeti në rrugën “Caush Asllani”, në fshatin Katund i Ri.

Pas hetimeve intensive dhe analizimit të pamjeve filmike, u identifikua dhe u vu në pranga 31-vjeçari Xh. M., banues në fshatin Katund i Ri, i cili dyshohet se më 20 nëntor 2025 dogji automjetin e një 29-vjeçari për motive të dobëta.

Hetimet treguan gjithashtu se i arrestuari kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar më parë nga Gjykata e Elbasanit për veprën penale “Vjedhja”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.