Arrestohen tre persona për shitje kokaine e cannabisi në Elbasan

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Roli”, në kuadër të një hetimi të drejtuar nga Prokuroria e qytetit, duke çuar në arrestimin e tre personave të përfshirë në përgatitjen dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të tre shtetasve që bashkëpunonin për shpërndarjen e dozave narkotike.

Hetimet zbuluan se një lokal në fshatin Mjekës shërbente si vend për përgatitjen, ndarjen në doza dhe shitjen e kokainës dhe cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan D. R., 26 vjeç, shtetasi që kishte marrë me qira lokalin, dhe L. Q., 18 vjeç, punonjës si kamerier në të njëjtin ambient, të dy banues në fshatin Mjekës. Kontrollet brenda lokalit sollën në zbulimin e dozave të gatshme, si dhe të mjeteve të përdorura për përgatitjen e tyre.

Hetimi vazhdoi më tej me kontrollin e banesës së 18-vjeçarit, ku u gjetën sasi dhe doza të tjera të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, si dhe një shkop metalik. Këto materiale dyshohet se i përkisnin vëllait të tij, E. Q., 24 vjeç, i cili u arrestua në përfundim të veprimeve procedurale për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjatë gjithë operacionit u sekuestruan dhjetëra doza të lëndëve narkotike, 6 grirëse materiali bimor, 3 peshore elektronike, 2 celularë dhe një shkop metalik. Materialet procedurale për të tre të arrestuarit iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore.