Elbasan, 27 maj 2025 – Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka evidentuar dhe ndërhyrë në disa raste kriminale dhe rrugore në territorin e saj, duke çuar në arrestime të menjëhershme dhe referim materialesh për ndjekje penale.
Në Gramsh, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 38 vjeç, pasi një 18-vjeçare kallëzoi se ai i ishte futur pa dëshirë në banesë, e kishte goditur dhe kishte tentuar ta merrte me forcë. Nga verifikimet rezultoi se E. K. është edhe me precedent penal në fushën e vjedhjes. Policia po vijon hetimet nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, në Elbasan, u arrestua shtetasi J. H., 50 vjeç, i akuzuar për ushtrim dhune ndaj prindërve të tij.
Një tjetër arrestim u krye nga specialistët e qarkullimit rrugor ndaj I. B., 20 vjeç, i cili nuk iu bind urdhrit të policisë për të paraqitur dokumentet dhe rezultoi se drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Gjithashtu, u referuan materiale në Prokurori për procedim penal ndaj G. D., 48 vjeç, i përfshirë në një aksident rrugor në aksin “Elbasan-Bradashesh”, ku mbetën të plagosur një drejtues motomjeti dhe pasagjerja e tij. Të dy janë jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, procedim penal nisi për M. S., 22 vjeç, i cili përplasi një automjet të parkuar dhe u largua nga vendi i ngjarjes, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Policia e Elbasanit referoi edhe një rast vandalizmi, ku një 16-vjeçar dyshohet se theu xhamat e një shkolle me gurë.
Në Peqin, nisën procedime penale ndaj shtetasve B. A., 26 vjeç dhe K. H., 22 vjeç, pasi dogjën 3 goma automjetesh, duke ndotur ajrin dhe rrezikuar mjedisin.
Të gjitha materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme hetimore.
