Arratiset nga spitali i burgut i arrestuar nga SPAK nën akuzën e vrasjes

DURRËS – Një arratisje nga sistemi i vuajtjes së dënimit raportohet se ka ndodhur në Durrës, duke vënë në lëvizje strukturat e sigurisë.

Sipas informacioneve paraprake, një i burgosur është arratisur nga shërbimet e Burgut të Durrësit, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se i arratisuri dyshohet të jetë Altin Ndoci, i cili ndodhej i shtruar në spital në momentin e ndodhjes së ngjarjes.

Altin Ndoci ndodhet në burg që prej muajit maj 2020 dhe akuzohet për vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë, si edhe të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.

Menjëherë pas sinjalizimit të arratisjes, autoritetet kanë nisur kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa pritet një reagim zyrtar për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të konfirmuar informacionet paraprake.