“Jam në rrugë nacionale, kam të drejtën time”/ Përplasi për vdekje 7-vjeçarin duke shkuar në shkollë, ja çfarë deklaroi producenti Bozo!

Një aksident me pasojë fatale është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Mengël, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ku një fëmijë 7-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet.

Drejtuesi i mjetit është Petri Bozo, i cili është shoqëruar nga Policia për veprime të mëtejshme procedurale. Sipas dëshmive paraprake, ai ka deklaruar se po lëvizte me shpejtësi të ulët dhe se ndodhej në rrugë nacionale, duke theksuar se “kam të drejtën time”.

Ngjarja ndodhi teksa i mituri po shkonte në shkollë i shoqëruar nga nëna e tij, kur në një moment është shkëputur dhe është goditur nga automjeti.

Një banor i zonës ka deklaruar se viktima është transportuar me automjet privat drejt spitalit, pasi ambulanca nuk ka mbërritur në kohë.

Sipas dëshmive të banorëve, zona konsiderohet problematike për qarkullimin dhe shpejtësinë e automjeteve, ndërsa më herët janë regjistruar edhe aksidente të tjera të rënda.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bëri të ditur se rreth orës 08:00, automjeti me drejtues shtetasin P.B., 61 vjeç, ka përplasur fëmijën, i cili si pasojë ka ndërruar jetë. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.