Aksident tragjik në Shkodër. Humb jetën 37 vjeçari, plagosen gruaja dhe dy fëmijët e tij

SHKODRA – Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë pasdite në aksin Shkodër-Lezhë, ku një 37-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga fotot e siguruara nga Dosja.al, shihet qartë shkatërrimi i makinave të përfshira në përplasje dhe pasojat e këtij aksidenti tragjik.

Sipas të dhënave paraprake, një kamion i drejtuar nga një shofer 42-vjeçar me inicialet T.K., dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një automjet tjetër. Më pas, kamioni ka goditur edhe makinën që drejtohej nga 37-vjeçari Gjin Bzhangaj.

Bzhangaj, pas përplasjes, ka mbërritur në spital, por për fat të keq ka humbur jetën. Ndërkohë, bashkëshortja e tij 32-vjeçare dhe dy fëmijët e mitur janë plagosur, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia dhe grupi hetimor janë në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Në pamjet nga vendi i ngjarjes, makinat e shkatërruara janë të dukshme, duke dhënë një pasqyrë të hidhur të tragjedisë që ka tronditur familjen Bzhangaj dhe komunitetin.