Aksident tragjik në Itali, makinat përplasen “kokë më kokë”, 4 viktima

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbremë në Itali, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën e si pasojë kanë humbur jetën 4 persona dhe janë plagosur dy të tjerë.

Mediat vendase shkruajnë se ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Taranto–Bari, pranë një tuneli. Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit, karabinierët, policia rrugore dhe teknikët. Trafiku është bllokuar përkohësisht në të dy drejtimet.

Midis viktimave ishin tre ushtarë që i përkisnin Brigadës së 7-të të Pinerolo Bersaglieri të stacionuar në Altamura dhe me origjinë nga provinca e Tarantos, të cilët po udhëtonin në makinë, me 2 kolegë të tjerë që kanë mbetur të plagosur.

Viktima tjetër ishte drejtuesi i furgonit, një 68-vjeçar. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, gjendja e tyre konsiderohet kritike. Ndërkohë autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.