Fushë-Krujë – 13 dhjetor 2025
Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës së një të riu është shënuar mbrëmjen e djeshme në dalje të Fushë-Krujës. Viktima është 18-vjeçari Irdi Laçi, i cili u përplas për vdekje nga një automjet tip fuoristradë, ndërsa po shtynte makinën e tij që ishte fikur në mes të rrugës.
Sipas të dhënave paraprake, i riu ndodhej së bashku me automjetin tip “Mercedes”, kur për arsye ende të paqarta mjeti mbeti i bllokuar. Në momentin që po përpiqej ta shtynte për ta larguar nga rruga, ai u godit nga fuoristrada që po lëvizte në aks.
Përplasja rezultoi fatale për 18-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në vend si pasojë e plagëve të marra. Drejtuesi i fuoristradës, pas ngjarjes, është paraqitur dhe është dorëzuar në polici.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore.













