Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Antena” në Qafë-Buall; viktimat janë identifikuar nga policia.
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Bulqizës, duke shkaktuar dy viktima dhe një të plagosur rëndë. Ngjarja është shënuar në vendin e quajtur “Antena”, në Qafë-Buall, ku një automjet tip “Nissan” ka dalë nga rruga në rrethana ende të paqarta.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, viktimat janë identifikuar si Destan Gjeta dhe Burhan Gjoka, ndërsa personi i plagosur është transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në aksidentin tragjik.
