Aksident tragjik, i moshuari humb jetën para derës së shtëpisë

Këmishtaj, 30 maj 2025 – Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën mëngjesin e sotëm 91-vjeçarit Ruhi Kurteshi në fshatin Këmishtaj të Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30 pranë banesës së viktimës, në aksin rrugor Goriçaj–Këmishtaj.

Sipas raportimeve paraprake, i moshuari ishte nisur si çdo ditë drejt karburantit përballë shtëpisë së tij, ku ndalonte për të biseduar me punonjësit. Rreth 30 minuta më vonë, gjatë kthimit për në banesë, Ruhi Kurteshi u përplas për vdekje nga një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga një 22-vjeçar.

Sipas burimeve nga vendngjarja, përplasja ndodhi në pjesën e përparme të mjetit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme 91-vjeçarit. Policia dyshon se shkak për aksidentin janë bërë ndërprerja e menjëhershme e rrugës nga këmbësori dhe shpejtësia e automjetit në lëvizje.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën forcat e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar për në komisariat për veprime të mëtejshme.