Aksident/ Përplasen “kokë më kokë” dy makina, plagoset një person

DIBËR- Mesditën e sotme, një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Rrugën e Arbrit, në zonën e njohur si “Ura e Vocit”, ku dy automjete janë përplasur ‘kokë më kokë’.

Si pasojë e përplasjes, një person ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja është konstatuar nga drejtues të tjerë mjetesh që po qarkullonin në këtë segment rrugor, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ambulanca, të cilat kanë transportuar të plagosurin drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.