Aksident i rëndë në aksin Bradashesh – Paraburgimi i Elbasanit, katër të plagosur

Elbasan, 18 dhjetor 2025 – Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme rreth orës 20:10 në aksin Bradashesh – Paraburgimi i Elbasanit, pranë rrethrrotullimit. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar panik dhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment me fluks të lartë lëvizjeje.

Sipas të dhënave paraprake, aksidenti dyshohet se ka ndodhur si pasojë e një manovre parakalimi të gabuar nga njëri prej mjeteve të përfshira, çka ka sjellë përplasjen e fortë mes automjeteve.

Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur drejtuesit e të dy automjeteve si edhe dy pasagjerë. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet nga mjekët.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulancat, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si edhe për normalizimin e qarkullimit rrugor në këtë aks.