Nga Bardha Nergjoni

Në faqe të dedikuara për mëmësinë në rrjetet sociale nënat diskutojnë se si mund të përcaktohet gjinia duke kërkuar të lindin djem në vend të vajzave, një mentalitet ky që haset në të gjitha moshat dhe nivelet duke reflektuar edhe një herë një fenomen të ngulitur që kërkon kohë të zhbëhet.

“Për nënat” është një faqe me 145 mijë ndjekës, kryesisht gra dhe veçanërisht nëna.

Nënat në këtë faqe kërkojnë këshilla, publikojnë mendime, marrin informacione mbi shëndetin dhe ndër komentet sheh shpesh edhe diskutimin mbi gjininë. Në një prej tyre një nënë në anonimitet pas dy vajzave kërkon të ketë një fëmijë të tretë dhe dëshira e saj dhe e bashkëshortit është të kenë një djalë. “Nëse di ndonjëra ndonjë sekret ose ndonjë doktor, ndonjë mendim për të bërë djalë” shkruan ndër të tjera gruaja ndërsa pret komentet e ndjekësve për të përmbushur qëllimin e saj për të patur një djalë pas dy vajzave.

Komentet orjentohen drejt preferencave për djem dhe postime të tilla nuk mungojnë në këtë faqe. Gjithashtu ka edhe faqe të tjera më të vogla ku tema lidhur me preferencën për djalë, diskutohen shpesh madje edhe vendime të nënave për aborte në përzgjedhje të gjinisë.

Vitin e fundit(2023) raporti gjinor është 107.4 djem për 100 vajza të lindura kur duhet të ishte natyralisht 105 djem të lindur për 100 vajza.

Elbasanion realizoi një pyetësor online nëpërmjet instrument CER duke i pyetur qytetarët mbi abortin selektiv. Nëpërmjet pyetësorit arritëm histori të treguara nga persona që e kanë hasur në familje apo njohin raste të abortit selektiv në dëm të vajzave.

Unë vetë nuk e kisha problem, por burri, vjehrra e vjehrri po

Një grua e kontaktuar nga elbasanion ka rrëfyer historinë e saj të abortit të ndodhur 10 vite më parë. Në anonimitet të plotë Adelina (emër imagjinar) ka dashur të ndajë situatën e kaluar në familjen e saj. “Pashë në eko që ishte vajzë unë u lumturova shumë por që nuk ishte kaq lumturi për burrin, për vjerrhën e vjehrrin tim. Burri filloi të behej nervoz dhe nuk shfaqi asnjë shenjë lumturie në fytyrë përkundrazi. U ndjeva keq pasi kishim dy vajza dhe ato ishin të mbara të mira. Unë vetë nuk kisha asnjë problem që ishte vajzë përkundrazi”. Gruaja kaloi ditë të vështira deri në vendimin për abort. “Duke parë situatën në familje që ishte bërë e padurueshme madje duke kërcënuar deri ndarje, vendosa të marr vendimin e të shkoj të abortoj. Ishte ngjarja më tragike e jetës sime edhe pasi kanë kaluar 10 vjet, unë e kujtoj si një gjë të tmerrshme dhe bëj luftë me veten nëse duhet të kisha rezistuar pak më shumë do ja kisha arritur ta mbaja”.

Dy aborte vajzash në pritje të një djali

Irena (emër imagjinar) banon në një zonë periferike të Elbasanit. Bashkë me familjen më pak se 20 vite që janë vendosur aty të ardhur nga fshatrat e Korçës. “Në mos gaboj ka ndodhur jo më shumë se diku te 6 vite më parë. Vëllai im dhe nusja e tij, të cilët kanë sot 3 vajza kanë tentuar 2 herë të tjera të sjellin në jetë një djalë. Për abortin e parë ne e morëm vesh kur nusja ishte shtatzënë. Im vëlla më tha: “Dashtë zoti ta kem djalë kësaj here se më vjen keq ta abortojë prapë, në s’u bë kismet nuk tentoj më!”Si të abortojë prap? Ne nuk dinim gjë që kishin tentuar të benin djalë dhe  pasi kishin parë ekon, kishin marrë vendimin për abort. Pra me pak fjalë e abortuan prap foshnjen se nuk e patën dot djalë dhe sot kanë tri vajza”.

Dëshmi të përjetuara nga afër

Në përgjigje të pyetësorit, rastet e abortit selektiv vijnë gjithmonë kur në familje kanë ardhur dy apo tri vajza. Një grua me banim në qytet, e moshës ndërmet 35-45 vjeç tregon një rast aborti. “Në një bisedë mes miqsh, morëm vesh që njëra nga ne kishte ndërprerë shtatëzaninë. Arsyeja ishte se duke qenë se kishte tre vajza dhe në eko fëmija i katërt ishte po vajzë”. E kontaktuar gruaja thotë se vendime të tilla merren në çift dhe shpesh është shumë e vështirë të ndërhysh. “Ne e marrim vesh kur ndodh ose shpesh nuk mësohet kurrë pasi është një temë që është e vështirë të shprehesh.

Ndër përgjigjet veçohet edhe ajo e një gazetareje në pjesën veriore të Shqipërisë. “Si gazetare më janë treguar raste të tilla në kronikat e sociales që kam mbuluar. Histori të trishta të vajzave që nuk kanë ardhur në jetë prej mentalitetit se duhet një trashëgimtar. Për përhapjen e fenomenit ajo thotë se tashmë disa mentalitete të prapambetura janë tejkaluar por fenomeni qëndron kryesisht në disa zona të thella malore ose në familje me prejardhje nga këto zona”.

Ekspertët flasin për fenomenin

Emanuela Bello, drejtuese e UNFPA për Shqipërinë thotë se diferenca gjinore është zbutur krahasur me vitin 2000 kur Shqipëria rënditej e katërta në botë për abortin selektiv por aborti selektiv vazhdon të jetë prezent. “Sot raporti është 107.4 djem të lindur kundrejt 100 vajzave që do të thotë që ende kemi një hendek midis djemve dhe vajzave në Shqipëri”.

 

Arjan Gjonça, një ekspert i demografisë, në analizën e fenomenit thotë se aborti selektiv është një normë e krijuar në shoqërinë shqiptare dhe do kohë të zhbëhet ndërsa pasojat janë duke u shfaqur e do të shfaqen në vazhdimësi. “Aborti selektiv ndodh tek femrat e edukuara. Është ana ekonomike ose mundësia financiare për të njohur gjininë në një kohë të hershme që i lejon ato. Kjo tregon që patriakalizmi ato normat tradicionale vazhdojnë e bëjnë këtë presion dhe kjo është kthyer në një normë jetese” thotë ai.

Fakti që në shumë vëzhgime abortet selektive bëhen nga gra që kanë edhe një lloj edukimi dhe niveli social, tregon se ky fenomen nuk ka lidhje me situatën ekonomike dhe kushtet sociale, por me një zakon të krijuar ndër breza që trashëgohet pavarësisht gjendjes sociale apo ekonomike të gruas apo familjes.

Mjekët pranojnë se fenomeni vazhdon

Bluzat e bardha e quajnë një fenomen që vazhdon pavarësisht reduktimit në 5 vitet e fundit. Mjekja Rubena Moisiu thotë se ky raport: 100 femra me 107 meshkuj në lindje, nuk ka arsye tjetër përveç abortit selektiv. “Aborti selektiv megjithëse është diskutuar gjatë, u bënë disa vite që diskutohet për të , nuk është se është zhdukur, por ekziston”.

Olgert Alla, shef i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik në Elbasan thotë se situata e 10 viteve më parë ishte shqetësuese por ka ardhur duke u përmirësuar. “Kur kam filluar punë 10 vjet më parë vinin çifte të cilët bënin abort për shkak të seksit të fëmijës. Çiftet që kishin 2 apo 3 vajza ishin të prirur ta ndërprisnin shtatëzaninë, nëse do ta kishin përsëri vajzë. Vitet e fundit situata ka ndryshuar dhe është ulur numri i rasteve të aborteve selektive, por kjo ka ndodhur pasi është ulur dhe numri i fëmijëve në familje. Shqipëria e ka traditë dhe e ka të theksuar ‘nevojën’ për të pasur një djalë që do të trashëgojë mbiemrin e familjes e do të kujdeset për prindërit, dhe është pikërisht ky mentalitet që çon drejt abortit selektiv”.

Sipas Allës abortin selektiv e favorizoi identifikimi në kohë të hershme të gjinisë nëpërmjet aparaturave. Aparaturat e përparuara bëjnë të mundur që gjinia e fëmijës të zbulohet brenda 3 mujorit të parë që është edhe periudha e ligjshme për abort. “Në Shqipëri aborti është i lejueshëm sipas ligjit brenda tremujorit të parë dhe pajisjet kanë bërë që gjinia të identifikohet më shpejt duke krijuar ndoshta një precedent për abortin me përzgjedhje të gjinisë”.

Raporti gjinor i përmbysur në 10 vitet e fundit

Sipas një të realizuar nga UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullatën) në vitin 2020 “Të parandalojmë preferencën ndaj djemve dhe nënvlerësimin e vajzave në Europën Lindore dhe Azinë Qëndrore” emigracioni masiv në vende të tjera të Evropës për të gjetur punë zakonisht nga burrat ka përforcuar edhe kërkesën për djem.

Studimet tregojnë se mungojnë rreth 8000 vajza për shkak të abortit selektiv, në vendet si Armenia, Azerbaixhani, Gjeorgjia, Shqipëria dhe Mali i Zi vetëm në periudhën 2013–2017 sipas studimit të UNFPA, 2020.

Ndërkohë nga një tjetër vlerësim i kësaj organizate në dhjetor 2020 Shqipëria renditet në top 15 vendet e botës për preferencën për djemtë. “Në një botë që shkon vazhdimisht drejt barazisë gjinore dhe zhvillimit social, praktika e abortit selektiv të fetuseve femra është jo vetëm arkaike, por edhe e dëmshme për rritjen shoqërore dhe ekonomike” thuhet në shënimin e UNFPA.
Sipas kësaj organizate një pasojë e rëndësishme e abortit selektiv është çekuilibri demografik që krijon. “Në rajonet ku kjo praktikë është e përhapur, raporti gjinor anon shumë drejt meshkujve. Ky çekuilibër mund të çojë në çështje të shumta sociale pasi prish shpërndarjen natyrore të gjinive në lindje. Pasojat shoqërore janë të dukshme dhe të paqëndrueshme”.

Ndërkohë një tjetër gjë që duhet përmendur është fakti që aborti selektiv edhe pse i reduktuar vazhdon. “Vazhdimi i kësaj tradite shpesh justifikohet nga normat kulturore dhe dëshira për të mbajtur mbiemrin. Megjithatë, kultura duhet të evoluojë për t’u përafruar me vlerat e barazisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Në një botë moderne të nxitur nga përparimi dhe informacioni, traditat që shkelin këto parime nuk kanë vend”.

Të dhënat e publikuara për një përiudhe gjashtë vjeçare në INSTAT tregojnë një hendek të madh sa i përket lindjes së djemve dhe vajzave në Shqipëri. “Numri i lindjeve të vitit 2020 është 28.075 lindje. Raporti gjinor në lindje është 107.4, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105 djem për 100 vajza”, – shkruhet në raportin e publikuar.

Ndërkohë 10 vite më parë Shqipëria kishte një një koefiçent 111.7 bazuar në një raport të organizatës Together for Life që ka realizuar një studim mbi fenomin në vitin 2018 kur rezulton se ne zona të caktuara raporti gjinor është më i thellë.