Tragjedi në Vjenë/ Shembet skela në kantier, ndërrojnë jetë katër shqiptarë nga Kosova

Katër shtetas nga Kosova kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë, pas një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë.

Ngjarja tragjike u regjistrua pasditen e së martës në zonën e Alsergrundit dhe u përshkrua nga dëshmitarët si një skenë dramatike.

Sipas mediave austriake, incidenti ndodhi rreth orës 14:00 në oborrin e një ndërtese banimi në rrugën Porzellangasse. Gjatë punimeve për betonimin e një papafingoje, skela dhe struktura mbajtëse u shembën, në momentin kur pesë punëtorë ndodheshin mbi to.

Zëdhënësi i zjarrfikësve bëri të ditur se pjesa e sapobetonuar u rrëzua në mënyrë të menjëhershme, duke i tërhequr punëtorët poshtë dhe duke i zënë nën një sasi të madhe betoni dhe materialesh ndërtimi.

Banorët e zonës treguan për momentet e tmerrit. Një prej tyre rrëfeu se fillimisht dëgjoi një zhurmë shumë të fortë, e më pas britmat e punëtorëve, ndërsa pak sekonda më vonë u dëgjuan edhe sirenat e emergjencës.

Ngjarjen e pa nga afër edhe një operator vinçi, i cili ndodhej në kabinën e tij në lartësi dhe nuk kishte mundësi të ndërhynte.

Operacioni i kërkim-shpëtimit u përball me vështirësi të mëdha, pavarësisht angazhimit të mbi 100 efektivëve të zjarrfikësve, policisë dhe shërbimit mjekësor. Terreni i pasigurt, betoni i freskët dhe rrënojat e paqëndrueshme e bënë ndërhyrjen të rrezikshme, duke detyruar ekipet të punonin në disa raste edhe me duar.

Pas rreth një ore e gjysmë kërkimesh, ekipet arritën të nxjerrin të gjallë një 45-vjeçar, i cili u transportua menjëherë në spital me dëmtime të rënda në kokë, thyerje në gjymtyrë dhe probleme serioze në shtyllën kurrizore.

Fatkeqësisht, për katër punëtorët e tjerë nuk pati shpëtim, pasi ata humbën jetën nën rrënoja.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar shkaqet që çuan në shembjen e papritur të strukturës.

Identitetin e një prej viktimave e konfirmoi kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëkombasit tonë, Pajtim Bajrami nga Klina e Poshtme, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë. Kjo humbje e rëndë na prek të gjithëve duke lënë pas një boshllëk të madh në familje, shoqëri dhe te të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta i shpreh familjes Bajrami, si dhe familjeve të tre bashkëkombasve të tjerë që humbën jetën po në këtë tragjedi”.