Një vajzë 20-vjeçare me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë në Itali disa ditë pasi u rrëzua nga ballkoni i banesës ku jetonte.
Viktima, e identifikuar si Anxhela Byku, ra të martën nga ballkoni i apartamentit të saj në Piacenza, ku jetonte së bashku me bashkëshortin.
Pas ngjarjes, e reja u transportua me urgjencë në spitalin e qytetit në gjendje shumë të rëndë dhe u shtrua në repartin e terapisë intensive. Megjithatë, për shkak të plagëve të rënda të pësuara nga rënia nga lartësia, ajo ndërroi jetë në mbrëmjen e së enjtes, më 12 mars.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Hetimet po kryhen nga Carabinieri, të cilët po përpiqen të rindërtojnë çdo detaj të asaj që ka ndodhur.
Sipas informacioneve paraprake, në këtë fazë të hetimeve nuk ka dyshime për përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse rënia ishte aksidentale apo lidhet me një akt vetëvrasjeje.
Ndërkohë, miq dhe të afërm kanë shprehur dhimbjen për humbjen e të resë. Gjatë ditëve kur ajo luftonte për jetën në spital, shumë persona qëndruan pranë familjes së saj në shenjë mbështetjeje.
Sipas mediave lokale, një ditë para konfirmimit të vdekjes, rreth 40 persona ishin mbledhur jashtë repartit të reanimacionit të spitalit në Piacenza, në pritje të lajmeve për gjendjen e saj.













