Rëndohet bilanci i aksidentit të ndodhur në Itali. Vdes në spital edhe një tjetër i ri shqiptar
Shkon në dy numri i viktimave të aksidentit rrugor që ndodhi disa ditë më parë në rrugën shtetërore 410 Naro-Camastra.
Sot, në spitalin Villa Sofia të Palermos, ka ndërruar jetë Tili Pilinci, 39 vjeç, gjithashtu me shtetësi shqiptare, i cili po drejtonte makinën që u përplas me një kamion të ngarkuar me fruta.
Nga përplasja kishte ndërruar jetë menjëherë bashkatdhetari i tij Flori Topalli, 25 vjeç, i cili ishte në vendin e pasagjerit.
Mjekët e spitalit të Palermos bënë gjithçka për të shpëtuar Tili Pilincin nga vdekja, por zemra e tij këtë mbrëmje ndali së rrahuri.
Në gjendje të sigurt janë të lënduarit e tjerë nga ky aksident dramatik që ndodhi në orët e para të së hënës.
Makina që u përplas me kamionin ishte e mbushur me qytetarë shqiptarë të moshës 24 deri 39 vjeç, të cilët ndodheshin në Itali si punëtorë sezonalë në fushat e Agrigentit.













