Mjeti përplaset me motorin, humb jetën drejtuesi

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, ku si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i një motomjeti, ndërsa pasagjerja ka mbetur e plagosur.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur në rrugën e Prushit, ku një automjet me drejtues shtetasin F. Gj., rreth 23 vjeç, është përplasur me një motomjet që drejtohej nga shtetasi B. T., rreth 40 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motomjetit ka ndërruar jetë në vendngjarje. Pasagjerja në motomjet, shtetasja A. Gj., rreth 22 vjeçe, është dëmtuar dhe është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.