Një 62-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Hasit, pasi tentoi të vriste me mjet prerës një person.
Ngjarja është regjistruar në lagjen Nr. 1, në dyqanin e autorit, Krumë. Sipas policisë shkak është bërë një konflikt mes autorit dhe të lënduarit, 60-vjeç.
Ky i fundit fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mjeti prerës u sekuestrua si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Has, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Kukës, pas marrjes së njoftimit se në lagjen Nr. 1, në qytetin Krumë, një shtetas ishte goditur me mjet prerës, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë, ku si rezultat bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit Q. C., 62 vjeç, banues në Krumë.
Nga veprimet hetimore rezulton se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Q. C. dyshohet se, në ambientet e jashtme të dyqanit të tij, ka tentuar të vrasë me mjet prerës shtetasin I. F., 60 vjeç, banues në fshatin Vranisht.
I dëmtuari, 60-vjeçari, ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale, sekuestrohet mjeti prerës që dyshohet se autori ka përdorur në vendin e ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.













