Ekzekutim mafioz i biznesmenit në Elbasan, 10 persona të shoqëruar, vijon operacioni për kapjen e autorëve

ELBASAN- 10 persona janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje lidhur me ekzekutimin e biznesmenit në Elbasan. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për shqyrtimin e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave materiale.

Siç u raportua, automjeti i përdorur nga atentatorët dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili u largua me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.

Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes