Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Michigan të SHBA-së ku një 44-vjeçar shqiptar u vra me armë zjarri jashtë restorantit ku ai ishte menaxher (Prime 7 Bar & Restaurant, 635 Cooley Lake Road, në Commerce Township).
Viktima është identifikuar si Françesk Shkambi, 44 vjeç banues në Howell. Policia e gjetën 44-vjeçarin të plagosur në një verandë jashtë restorantit.
Pavarësisht ndihmës mjekësore ai ndërroi jetë në spital.
Personi i dyshuar i krimit është një banor 65-vjeçar i Farmington Hills, i cili u dorëzua vetë në polici. Ai po mbahet në Burgun e Qarkut Oakland.
Gjatë kontrolleve hetuesit gjetën një armë që ata besojnë se është përdorur gjatë vrasjes, një pistoletë 9 mm e cila u raportua e vjedhur, sipas autoriteteve.
Sipas agjencisë së lajmeve FOX 2 Shkambi fillimisht mori një telefonatë, doli nga restoranti dhe aty u qëllua dy herë me armë.
Sherifi Michael Bouchard tha se i dyshuari dhe viktima njiheshin dhe kishin mosmarrëveshje me njëri tjetrin, pa dhënë të tjera detaje.













