Një lajm i dhimbshëm ka prekur sot opinionin publik. Ka ndërruar jetë në mënyrë të parakohshme Fredi Ademi, vetëm 32-vjeç, një i ri që edhe pse jetonte në kushte skamjeje, ia kushtoi jetën mbrojtjes dhe dashurisë për kafshët.
Fredi banonte në një kasolle modeste në Elbasan, aty ku kujdesej çdo ditë për rreth 200 qen endacakë. Tragjikisht, ai u gjet i pajetë pikërisht në atë strehë, mes kafshëve që i donte dhe i trajtonte si familjen e tij.
Lajmin e bëri të ditur miku i tij, Renaldo Morava, nëpërmjet një postimi prekës në rrjetet sociale. Ai e përshkroi Fredin si një njeri të përulur, që kurrë nuk kërkoi asgjë për veten, nuk ofendoi, nuk u mor me fjalë dhe nuk e ndaloi as varfëria për t’u përkushtuar ndaj qenve të braktisur.
“Kujdesej për 200 qen, i ushqente, i pastronte dhe i përqafonte me gjithë shpirt. Fredi nuk kishte familje, nuk kishte as rrjete sociale, jetonte në heshtje e në varfëri, por me një zemër të madhe,” shkruan ai.
Të afërm e miq të tij tregojnë se Fredi kishte kaluar një jetë të vështirë, shpeshherë pa bukë dhe pa strehë, i harruar nga shoqëria, por gjithmonë me dashurinë e tij për kafshët. “Ai nuk kishte askënd tjetër, unë dhe qenushët ishim familja e tij,” shkroi me lot një nga bashkëpunëtoret e tij, Vera, e cila sot ka mbetur e vetme me qindra kafshë në nevojë.
Miqtë që e kanë njohur Fredin gjithashtu kanë ndarë dhimbjen e tyre, duke e cilësuar si një njeri me shpirt të madh, që edhe në varfëri ekstreme u bë shembull i humanizmit.
Fredi u varros me ndihmën e Verës, zonjës që ka qenë përkrah tij në këtë kauzë të vështirë. Sot, me ikjen e tij, mbi 200 qen mbeten në një situatë kritike, duke pritur ndihmën e kujtdo që mund të adoptojë apo të kontribuojë për mbijetesën e tyre.
U prehsh në paqe, Fred! Shembulli yt i humanizmit nuk do të harrohet kurrë!
