I riu belg në gjendje kritike pasi u aksidentua me Jet Ski në Durrës

Durrës, 15 Qershor 2025 – Një 21-vjeçar me shtetësi belge ka mbetur rëndë i plagosur mbrëmjen e sotme pas një aksidenti me mjet lundrues në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pranë bregdetit të Durrësit.

Sipas informacionit paraprak nga Policia, i riu i identifikuar si H. K. dyshohet se gjatë një manovre me Jet Ski ka humbur kontrollin dhe ka rënë në det, duke pësuar dëmtime të rënda.

Fillimisht, ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Durrësit, por për shkak të gjendjes së rënduar, është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Policia ka shoqëruar në Komisariat pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh., për veprime të mëtejshme procedurale.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.