Tre punonjës policie të repartit “Shqiponjat” në Tiranë, janë pezulluar nga detyra, pasi akuzohen se kanë dhunuar një qytetar pa arsye.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore tre efektivët akuzohen se më 8 maj, kanë ndaluar një automjet dhe me veprime arbitrare kanë dhunuar shoferin. Pas përplasjes, shoferi ka përfunduar në Spitalin Universitar të Traumës për trajtim mjekësor.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për tre punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kryerje e veprimeve arbitrare në bashkëpunim”.
Inspektor E. T., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Inspektor D. G., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Inspektor E. N., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Caktimi i masave të sigurimit personal u bë i mundur në funksion të procedimit penal të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 08.05.2025 rreth orës 19:30, punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet me drejtues shtetasin R. Z., dhe me veprime arbitrare kanë kaluar në konfrontim fizik, ku për pasojë drejtuesi i automjetit është dërguar në Spitalin Universitar të Traumës për trajtim mjekësor.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al. Për ankesa me Whatsapp 0694151511
