E rëndë në Romë/ Trupat e dekompozuar të një foshnje 6-muajshe dhe një gruaje gjenden në një park, nisin hetimet mbi ngjarjen

ITALI- Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën, ku pasditen e djeshme, trupat e një foshnje 6-muajshe dhe një gruaje u gjetën brenda një qeseje të zezë dhe një thesi, në një gjendje të avancuar dekompozimi.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë, ku po merren dëshmitë e qytetarëve të zonës dhe po këqyren pamjet e kamerave të sigurisë të cilat mund të kenë kapur personin që solli trupat në park gjatë rrugës. Kontrollet po kryhen gjithashtu për personat e zhdukur në këto orë.

Tragjedia e dyfishtë u zbulua dje, por data e vdekjes dhe shkaqet janë ende të paqarta. Një nga hipotezat e ngritura është ajo e një vrasësi të vetëm. Trupat u panë nga kalimtarë me disa orë diferencë: së pari ai i vajzës së vogël, pastaj, rreth 200 metra larg, ai i gruas brenda një thesi .

Historia në Romë vjen vetëm pak ditë pas asaj që ndodhi në zonën e Salernos, ku një fëmijë 9-muajsh nga Vibonati u shtrua në spital me fraktura dhe lëndime të rënda. Djali i vogël ndodhet aktualisht në Santobono në Napol dhe gjendja e tij mbetet jashtëzakonisht e rëndë. Fëmija u transferua me urgjencë me helikopter të enjten e kaluar, pas një ndërhyrjeje fillestare shpëtimtare të kryer nga mjekët në spitalin Sapri.