Në një epokë ku bashkëjetojmë çdo ditë me Inteligjencën Artificiale, pyetja se sa të sjellshëm duhet të jemi ndaj saj po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Mund të duket një debat pa shumë rëndësi — në fund të fundit, Inteligjenca Artificiale është vetëm teknologji — por drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka një këndvështrim ndryshe.
Kur një përdorues në rrjetin X pyeti sa para ka humbur OpenAI në fatura elektrike vetëm sepse njerëzit i thonë “të lutem” dhe “faleminderit” chatbot-it, Altman u përgjigj:
Dhjetëra miliona dollarë të shpenzuara mirë — nuk i dihet kurrë.
Çdo komunikim me një chatbot kërkon energji dhe çdo fjalë shtesë, përfshirë ato të mirësjelljes, rrit konsumin e energjisë dhe kostot financiare. Siç shpjegon profesori i fizikës Neil Johnson:
Çdo fjalë shtesë është si letër ambalazhi përreth përmbajtjes; chatbot-it i duhet më shumë punë për ta përpunuar.
Në një botë ku inteligjenca artificiale ende mbështetet shumë te burimet e karburanteve fosile, nga këndvështrimi i mjedisit dhe ekonomisë, nuk ka një arsye të fortë për të qenë të sjellshëm me të. Megjithatë, nga ana kulturore dhe njerëzore, argumentet në favor të mirësjelljes janë të forta.
Ndikimi te sjelljet njerëzore
Ekspertët paralajmërojnë se mënyra si sillemi me Inteligjencën Artificiale mund të ndikojë në mënyrën si sillemi me njëri-tjetrin. Dr. Jaime Banks nga Universiteti i Syracuse thekson se sjellja jonë ndaj inteligjencës artificiale mund të forcojë modelet tona të përgjithshme të mirësjelljes.
Një qasje të ngjashme ndan edhe Dr. Sherry Turkle nga MIT, e cila për vite ka studiuar marrëdhëniet mes njerëzve dhe teknologjisë. Ajo argumenton se, edhe pse inteligjenca artificiale nuk ka ndjenja, është “mjaftueshëm e gjallë” për të justifikuar trajtim të respektueshëm.
Nëse kemi biseda intime me këto sisteme dhe i trajtojmë si shokë ose këshilltarë, atëherë janë mjaftueshëm të gjalla për t’u treguar mirësjellje.
Nga lodrat digjitale te robotët
Përvojat nga vitet ‘90 me lodra si Tamagotchi tregojnë se njerëzit, veçanërisht fëmijët, krijojnë lidhje emocionale edhe me objekte të thjeshta digjitale. Kjo tendencë mund të bëhet edhe më e fortë me Inteligjencën Artificiale të avancuar, duke ngritur pyetje serioze për ndikimet psikologjike dhe etike.
Të ardhmen nuk e dimë
Shkrimtari Scott Z. Burns, në serinë e tij të re “What Could Go Wrong?”, thekson se mirësjellja duhet të jetë gjithmonë norma, për njerëzit dhe për makinat. Në fund të fundit, mënyra si sillemi me Inteligjencën Artificiale formon kulturën tonë kolektive.
Nga ana tjetër, dramaturgja Madeleine George ngre një shqetësim tjetër: duke e mësuar Inteligjencën Artificiale të sillet gjithnjë e më njerëzisht, ne rrezikojmë të bëhemi më të varur dhe më të ndikuar prej saj. Megjithatë, në këtë fazë të zhvillimit, realiteti është ky: për një Inteligjencë Artificiale, qoftë t’i flasësh me dashamirësi ose t’i kthehesh shpinës, rezultati është i njëjtë — asgjë nuk ndien.
