Përfshirja e grave në politikë, kandidatja Kapllani flet për sfidat e fushatës zgjedhore

Nga Edja Feçanji

Megjithëse ka një përparim në përfaqësimin politik të grave në Shqipëri, rruga drejt barazisë reale ndeshet ende me barriera strukturore, sociale dhe ekonomike.
Një nga sfidat më të mëdha, pabarazia ekonomike, e cila vazhdon të kufizojë mundësinë e grave për të hyrë dhe për të ecur në politikë. Ndryshe nga kolegët e tyre burra, gratë shpesh nuk kanë akses në burime financiare, fonde partiake dhe rrjete njohjeje politike, të cilat janë thelbësore për suksesin elektoral. Këto kufizime financiare, të kombinuara me stereotipe të thelluara gjinore i dekurajojnë shumë gratë që të kandidojnë për poste publike apo të vazhdojnë karrierën politike.

Përvoja e kandidates Migena Kapllani nxjerr në pah këto barriera duke pasqyruar realitetin me të cilin përballen shumë gra në terren.
Kapllani është anëtare e Koalicionit Euroatlantik, pjesë e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjet e 11 majit 2025. Përgjatë një interviste, ajo na njeh me vështirësitë me të cilat po përballet, duke nxjerrë në pah steriotipet gjinore dhe mentalitetin si barrierat kryesore për mundësi të barabarta në politikë.

“Gratë mendohen në përgjithësi si të distancuara nga politika. Shpesh bisedat politike në tavolinë kryesohen nga burrat. Edhe të ftuarit në emisione janë po ata më së shumti. Koha që gratë kanë në dispozicion me angazhimet në familje nuk ia jep mundësinë të njohin mirë zhvillimet politike. Politika vetë bëhet nga burrat edhe në rang global.
Ndër faktorët që ndërveprojnë për të kufizuar pjesëmarrjen e grave në politikë është vetë jeta politike që bëhet jashtë dyerve të shtëpisë e me orare të zgjatura. Kjo për mendësinë tonë nuk është e pranueshme. Burrat që merren me politikë janë të shumtë krahasuar me gratë; kështu që edhe raporti i pjesëmarrjes nuk është i drejtë. Financimi nga ana tjetër është një nga faktorët kryesor që ndikon në numrin e ulët të grave kandidate e aq më tepër fituese. Partitë politike nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme, ndërsa Kapllani thekson se fushata zgjedhore ka kosto të papërballueshme.

-A është financimi pengesë për pjesëmarrjen e grave në politikë?

“Po patjetër, pasi vetë angazhimi në politikë sidomos në prag zgjedhjesh ka kosto. Nëse je buxhetor siç jam unë, mendohet e pamundur ta përballosh. Duhet të shkosh pranë votuesit për të biseduar me të për programin apo lëvizjen politike dhe këto lëvizje kanë kosto; sidomos kur mendohet edhe vota e diaporës, kur të duhet të lëvizësh jashtë vendit…”

-A mendoni se detyrimet dhe përgjegjësitë familjare e vështirësojnë fushatën për një grua?

“Sigurisht! Sado që e shoh veten të fortë në vendimet e mia, jam pjesë e kësaj shoqërie. Privilegj për të qenë pjesë e politikës e kanë në përqindjen më të madhe burrat. Edhe kur oraret e takimeve zgjasin, si grua marr tjetër peshë nga burrat në takime. Më duhet ta shtrëngoj veten të bëj edhe punët që më takojnë si familjare e më pas të bëj edhe takimet politike përveç punës së përditshme si mësuese”- u shpreh Kapllani.
Edhe kur gratë arrijnë të bëhen pjesë e politikës, sfida nuk përfundon aty. Në një kulturë ku vendimmarrja politike ka qenë historikisht e dominuar nga burrat, gratë duhet ende të luftojnë për të fituar hapësirën dhe ndikimin e tyre.
Ndërsa kuotat gjinore kanë hapur dyer për përfaqësim, ato nuk kanë arritur të zhbëjnë barrierat strukturore dhe financiare që pengojnë gratë të hyjnë dhe të avancojnë në jetën politike.

Studimi i realizuar nga Rjeti “Barazi në Vendimmarrje”, me mbështetjen e National Democratic Institute (NDI), thekson se gratë jo vetëm që kanë akses të kufizuar në financimin e partive politike, por gjithashtu kanë mesatarisht më pak vite anëtarësie në parti, mesatarisht 7.61 vite anëtarësie krahasuar me 13.08 vite për burrat.
Përveç kësaj, gratë kanë rrjete më të dobëta njohjeje dhe ekipe fushate më të vogla, me mesatarisht 13.09 anëtarë kundrejt 24.92 për burrat.
Në vitin 2021, 68% e grave kandidate u detyruan të vetë-financojnë fushatat e tyre.
Këto hendekë nuk janë vetëm financiarë, por pasqyrojnë një përjashtim më të gjerë brenda strukturave të partive politike, ku pushteti dhe burimet mbeten kryesisht të përqendruara tek burrat.

Nëse Shqipëria synon të arrijë barazi të vërtetë gjinore në politikë, duhet të shkojë përtej kuotave formale dhe të ndërmarrë reforma konkrete, duke përfshirë krijimin e fondeve publike të dedikuara për gratë në politikë, vendosjen e mekanizmave të detyrueshëm brenda partive për të garantuar akses të barabartë në financimin e fushatave dhe promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në shpërndarjen e fondeve.
Pa adresuar këto pabarazi të thella, gratë do të vazhdojnë të përballen me barriera që vështirësojnë përpjekjet e tyre për t’u angazhuar në politikë dhe barazia gjinore do të mbetet një aspiratë e parealizuar.