Dy vëllezër kanë përfunduar në prangat e policisë në Ballsh, nën akuzë për deklaratë të rreme dhe fshehje krimi.
Sipas policisë, të dy vëllezërit janë paraqitur në spital me plagë të shkaktuara me thikë, dhe kanë deklaruar se ishin plagosur gjatë një sherri me njëri-tjetrin. Por, nga hetimet në fakt, ka rezultuar se personi që i kishte qëlluar me thikë ishte fqinji i tyre, një 76-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta.
Nuk dihet ende arsyeja se përse vëllezërit kanë tentuar ta fshehin ngjarjen, teksa edhe i moshuari ka përfunduar në pranga.
Njoftimi i policisë:
Mallakastër/ Dhanë deklaratë të rremë në Polici, për të fshehur ngjarjen, vihen në pranga 2 vëllezërit.
Në pranga dhe shtetasi që për motive të dobëta plagosi me mjet prerës dy vëllezërit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër menjëherë pas njoftimit të marrë se në spitalin e Ballshit janë paraqitur 2 shtetas për mjekim, të plagosur me mjet prerës (thikë), kanë shkuar dhe kanë marrë kontakt me shtetasit e plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mallakastër shtetasit E. P., 28 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç (vëllezër), të dy banues në Ballsh, për të dhënë deklaratën mbi ngjarjen e ndodhur. Dy vëllezërit kanë deklaruar se janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke fshehur ngjarjen.
Nisur nga deklarimet kontradiktore të dy vëllezërve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë thelluar hetimet dhe si rezultat bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i hetimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas janë plagosur me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, nga shtetasi A. B., 76 vjeç, banues në Ballsh, (fqinji i tyre).
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve E. P., 28 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç, për veprën penale “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, dhe shtetasit A. B., 76 vjeç për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
