Ky është 45-vjeçari që leu me benzinë dhe i vendosi flakën bashkëshortes 31-vjeçare në Korçë, çifti prindër të dy fëmijëve

Personat që shihni mësipër janë çifti i bashkëshortëve, Bledar Trëndafili dhe Melisa Trëndafili nga qyteti i Korçës.

Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e kësaj të shtune, rreth orës 16:30, ku 45-vjeçari Bledar Trëndafili leu me benzinë bashkëshorten e tij 31-vjeçare, Melisa Trëndafilin dhe më pas i vendosi flakën.

45-vjeçari pasi hodhi lëndën djegëse mbi trupin e bashkëshortes së tij u largua menjëherë në drejtim të paditur, ndërkohë e reja pasi mori ndihmën e parë në spitalin e qytetit të Korçës është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi shkalla e djegies në trupin e të resë është e lartë.

Sipas informacioneve paraprake mësohet se e gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugë, jashtë banesës ku 45-vjeçari jetonte më herët me bashkëshorten.

Bledar Trëndafili dhe Melisa Trëndafili mësohet se janë prindër të dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, ndërkohë kanë nisur procedurat e divorcit dhe aktualisht jetonin të ndarë.

“Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 2, Korçë, në rrugë, shtetasi B. T., 45 vjeç, ka tentuar të djegë me lëndë djegëse benzinë bashkëshorten,( në proces divorci dhe aktualisht jetojnë të ndarë), shtetasen M. T., 31 vjeçe.

Shtetasi B.T, pasi i ka hedhur lëndën djegëse në trup shtetases M.T dhe e ka ndezur është larguar me shpejtësi. Si pasojë shtetasja M. T., ka pësuar djegie në trup dhe është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të 45 vjeçarit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Ndërkohë shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit.”, njoftoi Policia më herët.