Tregtarët në Qukës punojnë në kushte të vështira, tregu i ndërtuar 7 vite më parë jofunksional

Tregu i rrobave dhe prodhimeve bujqësore në Njësinë Administrative Qukës është jashtë funksionit për tregtarët edhe pse është ndërtuar disa vite më parë.
Ky treg i ndërtuar 7 vite më parë do t’u vinte në ndihmë jo vetëm tregtarëve vendas, por edhe nga rrethet fqinjë. Edhe sot, pas kaq kohësh tregu nuk është vënë në shërbim të tregtarëve ambulantë dhe fermerëve.

Miliona lekë investim, por në vendin ku u ngrit tregu mungojnë kushtet më elementare të higjenës, uji si dhe çatite e dikurshme janë dëmtuar. Ndërsa në rrugë ndeshesh me gropa, pluhur e plehëra.

“Sa vite ka që është ndërtuar, nuk e kam përdorur asnjë ditë. Gjithë ato lekë shkuan kot, e kemi shumë larg, tregu duhet të ishte bërë këtu. Atje s’vjen këmbë njeriu”- shprehet një tregtar.

“Këtu është vendi ku vinë njerzit, atje nuk të vjen njeri. Shkojnë tregtarët vetëm në ditë me shi”- shprehet një tjetër.

Bashkia Prrenjas ka hartuar Projektin e Rehabilitimit të tregut të parë, por procedurat e marrjen në pronësi të tij nuk janë mbyllur akoma.