Kosovë/Lëndë narkotike në makinë, qytetari përplas efektivin e policisë dhe arratiset

Një oficer i policisë së Kosovës është lënduar pasi është goditur me makinë nga një person i dyshuar për posedim të lëndëve narkotike, në një fshat në veri të vendit.

I dyshuari nuk iu bind urdhrave të policëve për t’u ndalur për një kontroll në fshatin Suhodoll në Mitrovicë të Veriut, vend i banuar me shumicë serbe, dhe e goditi oficerin para se t’ia ka mbathte në këmbë nga vendi i ngjarjes, njoftoi Policia.

Ndër të tjera, policia ka njoftuar se në automjetin e tij të braktisur janë gjetur lëndë narkotike.

“Gjatë tentimit për të ndaluar për kontroll një veturë të dyshuar, drejtuesi i veturës nuk ka ndaluar dhe me veturë ka sulmuar-goditur një zyrtar policor dhe po ashtu një veturë të policisë”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.

Policët kanë përdorur armët e tyre të zjarrit “për të mbrojtur jetën dhe për ta vënë situatën nën kontroll”.

Sipas deklaratës së policisë, nuk është raportuar për të lënduar nga të shtënat e policëve, ndërsa në automjet është gjetur lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë (1,5 deri në 2 kg).

Njësitet policore, përfshirë zyrtarë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Policia theksoi se është duke e trajtuar rastin dhe se në koordinim me organet e drejtësisë do të ndërmarrë veprimet për të zbardhur këtë rast dhe arrestuar personin e dyshuar.