Buxheti i vitit 2024 për Bashkinë e Elbasanit me vlerë 35 milion euro u miratua sot në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit.Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak u ndal në detaje për ndarjen që do të marrë buxheti vitin e ardhshëm, ndërsa duke e krahasuar me atë të vitit 2019 tha se ky i këtij viti ka pësuar një rritje të konsiderueshme me të paktën 34 % .Sipas Llatjas buxheti i vitit 2024 synon mbajtjen e një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimin e mëtejshëm të Bashkisë Elbasan. Ai tha se nuk do të mungojnë investimet në zonën urbane dhe rurale duke listuar disa nga investimet e këtij viti, ku sipas tij vëmendje do të marrë sektori i turizmit dhe rivitalizimi i monumenteve të kulturës, teksa ndau lajmin e mirë se buxheti i ri parashikon rikonstruksionin e shtëpisë së Kostandin Kristoforidhit,por dhe muzeut etnografik. Sipas të parit të qytetit edhe institucionet arsimore do të kenë zërin e tyre në buxhetin e ri.
Nga ana tjetër këshilltarët e opozitës e kritikuan buxhetin e vitit 2024, duke theksuar se është shumë larg atij faktikut. “Më shumë relacioni juaj kryetar është buxheti i dëshirës sesa reali”- theksoi këshilltari Eugen Isaj. Në vijim Isai pohoi se gati gjysma e buxhetit do të shkojë për rrogat e administratës dhe vetëm 13 përqind tha ai do të reflektohet në investime të reja.
Sakaq këshilltari Blendi Himçi jo vetëm e kundërshtoi projekt-buxhetin e bashkisë Elbasan, por i kishte të shumta pikëpyetjet dhe kritikat për hartuesit e tij.Si prind i dy fëmijëve të mitur ai kërkoi vëmendje për institucionet shkollore, veçanërisht ndërhyrje në sistemin sanitar të shkollave 9 vjeçare dhe të mesme. Kritik Z.Himçi u shpreh edhe për shumën e planifikuar për mobilimin e sallës së mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, plot 360 milion lekë të vjetra.Ndërsa për një çështje sensitive si incenerimi pushteti lokal ka parashikuar një fond prej 717 milion lekë për një vit, ku plehrat kanë mbetur pirg e nuk digjen.
Ndërkaq këshilltarët Altin Meçja, Ergys Muzhaqi, Doris Madhi, Valbona Balliu dhe Rudina Mita sollën sugjerimet e tyre rreth investimeve që duhet të kishte parashikuar Bashkia Elbasan për vitin e ardhshëm. Kërkesat e tyre u përqëndruan në shkolla, rrugë, qendra shëndetësore, tregje etj.
Sa I takon këshilltarëve të mazhorancës ishin më mirëkuptues dhe miratues me materialin e paraqitur. Nuk munguan as rastet kur ata sollën sugjerimet e tyre siç ishte rasti i këshilltarit Shefqet Bullari apo dhe Erjon Murataj.
Pavarësisht se ishte një takim maratronë dhe mes shumë diskutimesh Këshilli Bashkiak i Elbasanit me 31 vota pro,12 kundër dhe 9 mungesa vendosi miratimin e buxhetit 2024.
