Bazuar në mbi 600,000 votat e udhëtarëve nga 168 vende në mbarë botën, organizata e destinacioneve më të mira evropiane (EBD) ka zbuluar listën e saj të “tregjeve më të bukura të Krishtlindjeve për t’u vizituar 2023-2024”.
Në një artikull të shkruar nga prestigjiozja Forbes, renditen 20 destinacione evropiane më të rekomanduara për turistët gjatë kësaj periudhe festive, ku mes të cilave është edhe Saranda, e cila ka lënë pas qytete si Londra dhe Mançesteri në Angli, Praga, Dresden apo edhe Bryzh.
Më shumë se kurrë, udhëtarët duket se tërhiqen nga destinacionet e reja të Krishtlindjeve dhe kanë zgjedhur të festojnë në Hungari, në Bazilikat e Budapestit si të preferuarat e tyre, duke e bërë atë destinacionin më të vlerësuar të Krishtlindjeve në këtë renditje.
“20 tregjet e Krishtlindjeve të përzgjedhura nuk janë vetëm rrugica shtëpish, por janë ngjarje kulturore dhe artistike me koncerte, punëtori krijuese, dritat e Krishtlindjeve, fishekzjarre, shfaqje, shesh patinazhi në akull dhe janë të përkushtuar ndaj qëndrueshmërisë duke ofruar ushqime dhe produkte artizanale vendase”, shpjegon EBD.
Lista e plotë:
Budapest, Hungari
Kraiova, Rumani
Metz, Francë
Poznań, Poloni
Montbeliard, Francë
Riga, Letoni
Govone & Asti, Itali
Birmingham, Angli
Madeira, Portugali
Valkenburg, Holandë
Bruksel, Belgjikë
Trier, Gjermani
Edinburg, Skoci
Vjenë, Austri
Sarandë, Shqipëri
Londër, Angli
Dresden, Gjermani
Pragë, Republika Çeke
Bruges, Belgjikë
Mançester, Angli
Sa i përket Sarandës, thuhet se kjo është hera e parë që Tregu i Krishtlindjeve i Sarandës në Shqipëri shfaqet në këtë renditje. Saranda është një qytet modern, i ri, dinamik dhe një destinacion perfekt gjatë gjithë vitit për pushime me diell apo me borë.
