Nga Entela Duka
Me forcën e kartonit dhe epërsinë e numrave Këshilli Bashkiak Elbasan miratoi Paketën Fiskale 2024.
Paketa fiskale e Bashkisë Elbasan u miratua mes debatesh, ndërsa vetë kreu i komisionit të ekonomisë pohoi rritjen që pësojnë tarifat e shërbimeve dhe taksat për biznesin në masën 23-25%.
Për këshilltarët opozitarë Bashkia ka qenë jotransparente dhe nuk ka informuar qytetarët rreth kësaj pakete.Njëzëri ata thanë se tarifat e reja do të ndikojnë direkt te familjet dhe biznesi i vogël elbasanas, ndërsa ngritën disa pikëpyetje për hartuesit e paketës fiksale.
Është fakt që qytetarët elbasanas do të paguajnë më shumë tarifa për pastrimin, ndricimin gjelbërimin dhe faturën ditore të fëmijëve në kopsht. Përballë kritikave të këshilltarëve të opozitës se rritja e tarifave do të preki drejtpërsëdrejti familjet elbasanase, kryebashkiaku Gledian Llatja pohoi se ka qënë kërkesë e qytetareve të mos preken investimet.
Në të njëjtën linjë me kryebashkiakun tyre u shprehën edhe këshilltarët e majtë. Ata e konsideruan të papërfillshme rritjen që pësojnë disa tarifa.
Këshilli Bashkiak Elbasan votoi me 28 vota pro dhe 14 kundër Paketën Fiskale 2024.
