EKSKLUZIVE/Shkolla nuk u hap as këtë vit, nxënës dhe prindër në Tregan në protestë

 

Dy muaj nga nisja e vitit të ri shkollor 2023-2024, nxënësit e shkollës 9-vjeçare në Tregan të Elbasanit kanë bojkotuar sot mësimin. Të mbështetur nga prindër dhe gjyshër ata vendosën të mos paraqiteshin në mësim. Shkolla e tyre qendron e mbyllur për të katërtin vit me radhë, pas dëmtimit që pësoi nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019-të. Që nga ajo kohë rreth 140 -nxënës të shkollës “Jonuz Çarçiu” ndjekin mësim të paktën 5km larg shkollës së tyre , në turnin e dytë në fshatin Kuqan. Ndonëse transporti është siguruar nga bashkia, prindër dhe fëmijë të indinjuar nga premtimet e pambajtura se shkolla e tyre do të nisë shpejtë, pasi Bashkia ka gati projektin dhe se është në pritje të fondit nga Ministria e Arsimit vendosën të bojkotojnë sot mësimin.Mungesën e shkollës e vuajnë nxënësit e të paktën katër fshatrave të Njësisë Administrative Tregan.

Kujtojmë se shkolla e Tregan u cilësua jo funksionale nga Komisioni i Verifikimit, pas tërmetit që përfshiu vendin nëntorin e vitit 2019.Që nga ajo kohë shkollës iu vu dryni dhe nxënësit u dërguan në turnin e dytë në shkollën e fshatit tjetër.Sakaq pas kanë mbetur ende materialet shkollore dhe një godinë e cila amortizohet vit pas vitit pasi nuk e frekuenton askush.

Elbasanion mëson se gjatë ditës së nesërme në orën 10-të  prindër dhe nxënës do të zhvillojnë një takim me përfaqësues të Njësisë Administrative dhe Bashkisë Elbasan dhe më pas do të vendosin për vijimin e protestës së tyre./elbasanion