Pikënisja e këtij shkrimi ishte një reagim i një gazetari për mungesën e ftesës së gazetarëve jasht strukturave në ashtuquajturën sofër të Elbasanit. Edhe nese do të kishin ftesë gazetarët në këtë sofër ajo vetëm emërtimin nuk duhet ta kishte të tillë. Po ky nuk është rasti i parë. Në koncerte gala, në festime e aktivitete ti nuk sheh më intelektualë, gazetarë, shoqëri civile po vetëm partiakë, shërbëtorë besnikë të çfarëdo lloj niveli.
Së pari sofra ka kuptimin e thjeshtësisë dhe modestisë. E vendosur në lokalin luksoz të Gjergj Lucës merr më shumë vlerën e një dekori retro sesa një sofre të vërtetë të Ditës së Verës. Aq sa mund të vërehet nga videot sofra nuk ishte aq e thjeshtë në vlerë monetare. Flasim në një kohë kur qytetarët e Elbasanit nuk po bëjnë dot as ëmbëlsirën tradicionale pasi një kg miell kushton 200 lekë, një kg gjalp shkon në 900 lekë, një kilogram sheqer për ballokumet e famshme ka kapur vlerën 170 lekë, një vezë, traditë e ditës së verës, është 30 deri në 40 lekë një kokërr. E të mos vazhdojmë për një kilogram mish që gati është dyfishuar dhe as çmimet e tjera që sot qytetarët po mundohen të lënë diçka mangët për festën.
Së dyti: të ftuarit ishin vetëm ata që i pëlqenin pushtetit. Pra nuk kishte jo vetëm gazetarë po as intelektualë (për ata pak që e vlerësojnë vetën të pavarur), as aktivistë, as individë që e kanë arritur suksesin e tyre jasht oborrit të pushtetit. Pra në këtë “sofër” nuk ishte Elbasani i përfaqësuar nga vlerat e qytetit por nga ata në dobi dhe interes të pushtetit. Në fakt nga eksperienca shumëvjeçare kjo lloj dasije nuk ka qenë kurrë kaq e thellë. Tashmë pushteti ka gllabëruar një pjesë të medias dhe një pjesë e përjashton me dhunë sepse ajo nuk i përgjigjet propagandës dhe mundohet të bëjë gazetari në ato hapësira të vogla informacioni që mund të gjejë përballë një mbylljeje të tejskajshme të institucioneve.
E pra “sofra e Elbasanit” u kthye në një sofër të privilegjuarve të sistemit dhe të konformistëve. Normalizimi i kësaj situate është shqetësuese dhe heshtja eshtë akoma më shqetësuese pasi tregon se ky qytet jo vetëm është dorëzuar por fjala e vetme që mbizotëron kudo është largimi.
