ELBASAN – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeta 2”, duke goditur një tjetër rast të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.
Gjatë operacionit të zhvilluar në aksin rrugor Elbasan-Peqin, shërbimet e policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin A. A., 31 vjeç. Ai po transportonte me një automjet 7 shtetas të huaj nga vendet e treta, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi i 31-vjeçarit, ndërsa pronari i automjetit të përdorur për transport, shtetasi M. K., 25 vjeç, u shpall në kërkim si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Policia ka sekuestruar automjetin në cilësinë e provës materiale.
Hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen e shtetasit M. K. dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, e kryer në bashkëpunim.




