Shiste lëndë narkotike pranë shkollave, arrestohet në flagrancë 26-vjeçari

TIRANË- Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë pasi dyshohet se tentoi të shiste lëndë narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave. Sipas njoftimit të Policisë, 26-vjeçarit nga Elbasani iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza të vogla si dhe një thikë. Sakaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

NJOFTIMI:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i tentativës për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave. Arrestohet në flagrancë një 26-vjeçar nga Elbasani. Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në dhjetëra doza, dhe një armë e ftohtë (thikë).

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. M., 26 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit iu gjetën dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 26-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte ndarë në doza, me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj në zona të ndryshme të kryeqytetit, si dhe në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një mjet prerës (thikë). Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”