KORÇË – Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të fshatit Çiflig, në hyrje të qytetit të Korçës.
Sipas të dhënave paraprake, një punonjës i Policisë së Qarkullimit Rrugor, i cili sapo kishte përfunduar turnin e shërbimit, është përfshirë në aksident me automjetin e tij vetjak, duke u përplasur me një motomjet.
Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i motomjetit, një shtetas 60-vjeçar, ka humbur jetën në vendngjarje. Ndërkohë, efektivi i policisë ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Korçës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion për ndihmë mjekësore.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e nevojshme procedurale për përcaktimin e shkaqeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.





