PAMJET/ Shpërthim me lëndë plasëse në derën e një lokali në Fllakë, nuk ka të lënduar

DURRËS- Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur ditën e sotme në derën e një lokali në zonën e Fllakës, në Durrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, ndërsa nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar. Lokali ishte në përdorim nga Ramazan dhe Erjon Balla, babë e bir, të cilët nuk rezultojnë persona me precedentë penalë.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Ende nuk dihen autorët që kanë vendosur lëndën plasëse, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar edhe sasinë dhe llojin e lëndës së përdorur. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

“Rreth orës 05:00, në Sektor Fllakë, në derën e lokalit në përdorim të shtetasve R. B. dhe E. B., dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve“, thuhet në njoftimin e policisë.