Një tjetër nga 14 të shpallurit në kërkim për drogën që shitej në shkollat e Tiranës ka përfunduar në pranga.
Policia ka arrestuar 28-vjeçarin Orges Ferazini, pjesë e grupit të 52 shpërndarësve të identifikuar. Në banesën e tij janë gjetur 2 pistoleta pa leje, fishekë, 363 gramë kokainë e ndarë në 235 doza dhe 1 peshore elektronike.
Sipas policisë, 52 shpërndarësit ishin organizuar në 8 grupe me të paktën 3-4 anëtarë, të cilët shpërndanin heroinë e kokainë pranë shkollave 9-vjeçare e gjimnazeve. Mes 38 të arrestuarve, janë edhe 5 furnizues, një prej tyre i identifikuar si Ferit Xhani, që lidheshin me njëri-tjetrin kur u mbaronte sasia.
Për të mos rënë në sytë e policisë, grupet e shpërndanin drogën me monopatina, taksi, ose me motor picash. Mes tyre dyshohet të jetë edhe ish-efektivi i policisë, Engrid Henaj, i përjashtuar nga blutë për vjedhje që në 2017-ën.
Zona të tjera të preferuara për shpërndarësit, ishin Lapraka, Braka, pranë burgut “313”, Selita, Yzberishti, Tregu Elektrik dhe Qyteti Studenti, thuajse një shpërndarje në pjesën më të madhe të Tiranës.
Për të goditur këto grupe, agjentë të infiltruar bënë blerje të simuluara.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Shkolla të pastra”, i zhvilluar 3 ditë më parë.
Sekuestrohen 2 pistoleta me municion, 235 doza Kokaine dhe 1 peshore elektronike.
Vihet në pranga 28-vjeçari që mbante sendet e kundërligjshme, në banesë, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, i akuzuar për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në kryeqytet.
Në vijim të administrimit të një informacioni të siguruar gjatë punës operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”, i cili gjithashtu dyshohej se mbante në banesë, armë zjarri dhe lëndë narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, organizuan punën.
Si rezultat i ndërhyrjes në ambientet e banesës në rrugën “Rreshit Petrela”, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë të dyshuarin, shtetasin O. F., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, gjetën në banesë 2 armë zjarri (pistoleta) dhe municion luftarak, që i posedonte pa leje, 363 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, të ndarë në 235 doza, dyshohet me qëllim shitjen, si dhe 1 peshore elektronike.
28-vjeçari ishte në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e përfshirjes së 28-vjeçarit, në veprimtari kriminale, si dhe për kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




