KAMËZ- Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo ka deklaruar se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve. Gjatë një takimi për Paketën e Sigurisë në Shkolla, të zhvilluar në Bashkinë Kamëz, Demo tha se siguria në shkolla nuk do të negociohet.
Ai theksoi se institucionet shtetërore janë të angazhuara për të garantuar një mbrojtje të plotë për fëmijët në të gjithë vendin. Demo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes institucioneve qendrore dhe vendore, duke theksuar se zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla kërkon angazhim të përditshëm.
Ervin Demo: Ne duam të tregojmë të gjithë bashkë, në bashkëpunim me bashkinë që siguria në shkolla nuk negociohet. Ka zero tolerancë edhe është vija më e kuqe e mundshme, që policia e shtetit tashmë ka vendosur për sa i përket garantimit të të gjithë atyre elementëve që duhet ta bëjnë një prind, një familje të qetë dhe të sigurt për fëmijët e tyre kur shkojnë në ambientet e shkollës.
Detyra jonë është që ne të ofrojmë një mbrojtje dhe siguri të plotë për fëmijët në vendin tonë, të ofrojmë një mbrojtje 360 gradë, duke filluar që nga siguria brenda ambienteve të shkollës, me sigurinë në perimetrin e shkollës, duke garantuar cilësinë e duhur të ushqimit dhe mirëqenien fizike. Kjo është paketë që është shtrirë në çdo shkollë, dhe policia e ka treguar edhe gjatë ditëve të fundit.




