SARANDË — Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mesditën e kësaj të marte në një pikë karburanti të pozicionuar në rrugën “Skënderbeu” në qytetin e Sarandës.
Si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të plagosur dy persona, të identifikuar si Fatmir Pema, 39 vjeç, dhe Florian Bica, 27 vjeç. Të dëmtuarit kanë pësuar djegie në trup dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sarandës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse për vënien e situatës në kontroll dhe parandalimin e përhapjes së flakëve, si dhe forca të shumta të policisë. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij shpërthimi.




