Aksident i rëndë në Kosovë, humb jetën 19-vjeçari! Shoferi shpëton me lëndime të lehta

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune në aksin Suharekë-Prizren, ku një 19-vjeçar ka humbur jetën.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:05, në fshatin Lutogllavë. Sipas Policisë së Kosovës, viktima ishte pasagjer në automjetin që doli nga rruga pas humbjes së kontrollit nga drejtuesi.

Nga informacionet paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e papërshtatur me kushtet e rrugës, e cila ishte e lagësht për shkak të reshjeve të shiut.

“Drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili ka dalë jashtë rrugës. Si pasojë e aksidentit, pasagjeri, mashkull rreth 19 vjeç, nga fshati Piranë i Prizrenit, ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit ka pësuar lëndime trupore”, deklaroi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Shoferi, gjithashtu rreth 19 vjeç, ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.