SARANDË- Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar autorin e dyshuar të vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj, pak ditë më parë në Sarandë. Në një prej fotove, autori shihet i veshur me xhup jeshil, pantallona të zeza dhe skafandër në kokë, ndërsa mban dy armë.
Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, ai ka qëlluar fillimisht me një pistoletë me silenciator, por pasi arma është bllokuar, ka përdorur pistoletën tjetër që mbante në dorën e djathtë.

Një tjetër pamje tregon drejtuesin e motorit me targa greke, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin të largohet pas vrasjes. Pas ekzekutimit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Konispolit. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që ata të jenë larguar ilegalisht drejt Greqisë.
Artan Myrtaj u vra paraditen e së dielës, më 20 shtator, në zonën e njohur si ish-Agjencia në Sarandë, ndërsa nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një 73-vjeçar. Ekzekutimi i 44-vjeçarit dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh të ndodhura më herët në Sarandë, që e kanë zanafillën në një plagosje të regjistruar në korrik 2025. Myrtaj dyshohet se ka qenë pjesë e atij konflikti dhe kjo është një nga pistat ku janë përqendruar hetuesit.
Në kuadër të hetimeve për identifikimin dhe kapjen e autorëve, policia ka marrë në pyetje mbi 30 persona, por deri tani nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre. Pas vrasjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ngriti një grup të posaçëm hetimor për të verifikuar situatën kriminale në Sarandë. Në vijim të masave të marra, me firmën e kryepolicit u bë edhe ndryshimi i drejtimit të Komisariatit të Policisë së Sarandës. Feliks Hodo u transferua në Dibër, ndërsa në krye të Komisariatit të Sarandës është emëruar Saimir Shkambaj




