Prrenjas, 24 shtator 2026 – Këshilli Bashkiak i Prrenjasit ka votuar unanimisht kundër bashkimit të kësaj bashkie me Bashkinë e Librazhdit, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.
Në mbledhjen e zhvilluar për të shprehur qëndrimin lidhur me ndryshimet e propozuara territoriale, ishin të pranishëm 17 anëtarë të Këshillit Bashkiak. Të 17 votuan kundër bashkimit me Librazhdin, ndërsa nuk pati asnjë votë pro.
Gjatë mbledhjes u bë publik edhe raporti i konsultimeve publike të zhvilluara me qytetarët. Sipas të dhënave të paraqitura, nga 400 qytetarë që morën pjesë në dëgjesat publike, 398 u shprehën kundër bashkimit me Bashkinë e Librazhdit, ndërsa vetëm dy votuan pro.
Nisma për ndryshimet në ndarjen territoriale, e propozuar përmes një projektligji të depozituar nga një grup deputetësh socialistë, parashikon marrjen e mendimit të qytetarëve, si dhe një qëndrim të dokumentuar dhe të argumentuar nga këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive.
Vendimi i Këshillit Bashkiak të Prrenjasit pritet të jetë pjesë e dokumentacionit që do t’i përcillet institucioneve përgjegjëse në kuadër të procesit të Reformës Territoriale.




