Identifikohen tre autorë zjarrvëniesh, dy në pranga dhe një në procedim penal

FIER — Strukturat e Policisë së Qarkut Fier kanë finalizuar me sukses një operacion për zbardhjen e ngjarjeve të zjarrvënieve që shkaktuan dëme të konsiderueshme në toka bujqësore dhe ullishte në territorin e këtij qarku. Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, janë identifikuar tre shtetas të dyshuar si autorë të këtyre ngjarjeve.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e policisë bënë arrestimin në flagrancë të dy prej tyre:

Pëllumb Zgurati (P. Z.), 66 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Ade, Fier;

Durim Kapaj (D. K.), 62 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Kashisht, Fier.

Ndërkohë, procedimi penal në gjendje të lirë u referua për shtetasin Dorian Muhametaj (D. M.), 35 vjeç, i cili gjithashtu dyshohet i përfshirë në ngjarjet e zjarrvënieve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr, ndërsa autoritetet përsërisin thirrjen për qytetarët që të respektojnë ligjin dhe të denoncojnë çdo rast të zjarrvënies së qëllimshme apo të papërgjegjshme.