Iris Luarasi në krah të Egla Cenos pas mesazhit kërcënues: Mund të mos i shohim njësoj gjërat në politikë, por dinjiteti i një gruaje nuk pyet për anën ku qëndron

TIRANË- Një ditë pasi foli në protestën kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, aktorja Egla Ceno tha se ka marrë një mesazh kërcënues dhe se për rastin ka bërë denoncim në polici. Në mbështetje të saj ka reaguar edhe deputetja socialiste, Iris Luarasi, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale përmend edhe rastet e saj, duke theksuar se ka përjetuar më herët kërcënime të ngjashme.

Luarasi shprehet se e kupton frikën që mund të shkaktojë një mesazh i tillë, veçanërisht kur kërcënimet prekin edhe familjen. Duke iu referuar mesazhit të publikuar nga Ceno, Luarasi e cilëson kërcënimin me përdhunim si një formë dhune dhe jo si shprehje të një mendimi.

Ajo i bën thirrje institucioneve që të hetojnë rastin dhe të veprojnë pa tolerancë. Në reagimin e saj, ajo thekson gjithashtu se mund të kenë qëndrime të ndryshme politike, por kjo, sipas saj, nuk duhet të ndikojë në respektimin e dinjitetit dhe sigurisë së një gruaje.

Reagimi i Iris Luarasit:

Egla Ceno të lexova dhe më dhemb. Sepse i njoh fjalët që të kanë shkruar një për një. Pas ngjarjeve të fundit kam marrë kërcënime me përdhunim, me vrasje, varje, me pushkatim. E njoh mirë atë natë kur nuk fle, kur hap telefonin dhe zemra të rreh më shpejt sepse nuk e di çfarë do të lexosh për vete dhe për fëmijët e tu. Sot jam me ty e ti nuk je vetëm. Ajo që të ka ndodhur ty nuk është gjuhë urrejtjeje që ka verbuar sytë e njerëzve. Duket urrejtja e paska këtë veti që ta merr aftësinë për të shikuar një qenie njerëzore përballë. E kthen gruan në objekt, kundërshtarin në armik, dhe kërcënimin me përdhunim në një “mënyrë të thuash një mendim”. Ky është pikërisht momenti kur një shoqëri humbet, kur pranon që trupi i një gruaje të bëhet terren për t’i shfryrë politikën.

Këtë gjuhë nuk duhet ta pranojmë dhe, mbi të gjitha, nuk duhet ta relativizojmë. Çdo shprehje e tipit “e kërkoi vetë”, “ç’pret kur del në protestë”, apo “ishte shaka” është përpjekje për të relativizuar dhunën. Çdo shpjegim i tillë është një hap tjetër drejt normalizimit, dhe pas normalizimit vjen dhuna reale. Kërcënimi me përdhunim nuk është debat, nuk është mendim i lirë, është vepër. Pas dënimit të tij nuk vendoset kurrë një “por”. Të kërkojnë të ndjesh frikë, dhe në vend të kësaj ti zgjodhe të denoncosh. Kjo është forcë e vërtetë.

Duhet kurajo të zgjedhësh ligjin në vend të heshtjes, sepse heshtja është pikërisht ajo që kërkojnë kërcënuesit. Denoncimi yt nuk të mbron vetëm ty, mbron çdo vajzë që lexon këtë histori dhe mëson se ka rrugë. Tani institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, shpejt dhe pa asnjë tolerancë. Mund të mos i shohim njësoj gjërat në politikë, dhe s’ka pse t’i shohim, sepse unë mendoj që dinjiteti i një gruaje nuk pyet për anën ku qëndron. Ajo që nuk pranojmë të ndodhë ndaj teje, nuk duhet t’i ndodhë më askujt. Jam me ty.