Krimi që tronditi Austrinë/ E mbyti dhe e goditi me thikë ish-partneren, dyshime nëse 32-vjeçarja ishte…

Detaje tronditëse po dalin nga hetimi për vdekjen e 32-vjeçares Stephanie Piper në Austri, e cila dyshohet se u vra nga ish-partneri i saj 31-vjeçar, Patrick M.

Autoritetet po hetojnë edhe mundësinë që e reja të ketë qenë ende gjallë kur i dyshuari e futi trupin e saj në një valixhe dhe e varrosi pranë kufirit me Slloveninë.

Sipas aktakuzës, 31-vjeçari dyshohet se e ka mbytur dhe më pas e ka goditur me thikë 32-vjeçaren në apartamentin e saj, përpara se ta vendoste në një valixhe. Valixhja u gjet më vonë e varrosur në një zonë pyjore pranë kufirit austro-slloven.

Prania e dëmtimeve në fytyrën e viktimës ka bërë që hetuesit të marrin në konsideratë mundësinë që Stephanie të ketë qenë gjallë kur u fut në valixhe dhe se mund të jetë përpjekur të dilte prej saj. Prokurorët kanë deklaruar se është “shumë e mundshme” që ajo të ketë qenë ende gjallë në momentin kur u vendos në valixhe, por kanë theksuar se nuk përjashtohet mundësia që ajo të ishte mbytur më herët. Autopsia nuk ka mundur të përcaktojë me siguri momentin e vdekjes.

Patrick M., i cili u akuzua zyrtarisht për vrasje të hënën, fillimisht kishte deklaruar se krimi kishte ndodhur për shkak të xhelozisë pas ndarjes nga Stephanie. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave austriake, ai tashmë duket se po tërhiqet nga rrëfimi i mëparshëm dhe pranon vetëm se ka marrë pjesë në varrosjen e trupit.

Sipas gazetës “Bild”, në varrosjen e valixhes dyshohet se e kanë ndihmuar vëllai dhe njerku i 31-vjeçarit.

Stephanie Piper ishte parë për herë të fundit më 23 nëntor, pas pjesëmarrjes në një festë Krishtlindjesh. Pas largimit nga aktiviteti, ajo i kishte dërguar një sërë mesazhesh shqetësuese një shoqeje, duke i thënë se kishte parë “një djalë të çuditshëm në shkallë”.

Të nesërmen, 32-vjeçarja kishte planifikuar të merrte pjesë në një set fotografik, por nuk u paraqit. Mungesa e saj ngriti menjëherë dyshime, pasi, sipas fotografit me të cilin kishte lënë takimin, Stephanie “nuk do ta anulonte kurrë pa një arsye”.

Hetimi vijon për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes së 32-vjeçares dhe për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur në momentet e fundit të jetës së saj.